“Kurthi është i hapur”/ Pas alarmit të Gërvallës, Kosovës i vjen paralajmërimi i tmerrshëm për Mini-Shengenin


Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është përplasur me Sekretarin e Shtetit serb, Nemanja Staroviq për çështjen e Mini-Shengenit përgjatë Forumit të Dubrovnikut të mbajtur të shtunën. Gërvalla e ka kundërshtuar iniciativën e “Mini-Shengenit” duke e konsideruar atë si false dhe kurth, në të cilin sipas saj, Kosova nuk do të bie. JU FT OJM TE SHT YPNI VID EON KE TU

“Kosova, qeveria jonë dhe qytetarët tanë nuk do të bien në kurthin e ndarjeve, cinizmit apo koncepteve alternative, siç është për shembull Mini-Shengeni, i cili bie ndesh me BE-në dhe parimet bazë të projektit më të suksesshëm në historinë evropiane. Mini-Shengeni na katapulton në kohë të vjetra të këqija, kur njëra palë përpiqej të dominonte gjithë të tjerët. Më lini të jem shumë e qartë: nuk ka Mini-Shengen. Është Fake. Dhe është një kurth, sepse pretendon të jetë si BE-ja, pa qenë I tillë. Shengeni i vërtetë është pikërisht e kundërta e asaj që quhet Mini-Shengen, sepse Shengeni i vërtetë është krijuar jo në fillim të tregut të përbashkët evropian, por përkundrazi, ka qenë rezultat i reformave të thella dhe negociatave të ndërlikuara”, ka deklaruar Gërvalla në kuadër të Forumit të Dubrovnikut.

E lidhur me paralajmërimin e Gërvallës dhe kurthin e Mini-Shengenit, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi. “Duket qartë se iniciativa e krijimit të një Asociacioni rajonal shtetëror me emrin “Minishengen”, ka krijuar një konflikt të ri midis tri vendeve iniciatore, përkatësisht Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, nga njëra anë dhe tri vendeve tjera jo pjesëmarrëse, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Kosova e refuzon hapur në çdo samit ballkanik e jo ballkanik këtë iniciativë. Ndërsa Mali i Zi dhe BH e refuzojnë me mospjesëmarrje në samitet e tij. Refuzimi në këtë rast nuk është vetëm mosbesim. Është më shumë se kaq”, ka thotë Bytyçi.

Sipas tij, Donika Gërvalla sot e ka thënë vetëm të vërteten, se Mini-Shengeni është kurth.“Ministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës sot në Dubrovnik ka numëruar disa arsye që njihen për ta refuzuar atë. Ajo i ka thënë hapur sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, së kjo iniciativë është kurth. Kjo është arsyeja kryesore pse qeveria dhe institucionet e Kosovës e refuzojnë një iniciativë të tillë. Në fakt sekretari i Shtetit në MP Jashtme në Beograd e kishte pranuar sot se në një farë mënyre Minishengeni është kurth. Por, sipas tij një kurth në raport me integrimin evropian. “E kemi nisur si Republikë e Serbisë me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Definitivisht nuk është zëvendësim për integrimin në BE, por është diçka që e plotëson dhe që shkon paralelisht, duke mos pasur nevojë të presim që diçka të ndodhë”, thotë Nemanja Staroviq. Pra, ai e pranon se ky është një mekanizëm që shkon paralelisht me integrimin evropian. Po kujt i duhen mekanizma që shkojnë paralel me këtë integrim. Dhe kur thotë se „shkon paralel me integrimin evropian“, do të thotë se e zëvendëson ose së paku e ngadalëson integrimin në BE të vendeve të rajonit. A kanë interes vendet e tjera të rajonit, përveç Serbisë, që të përdorin mekanizma paralele me mekanizmin e Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit, ose Procesin e Berlinit?! Vetëm miopët mund ta besojnë këtë”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, profesor Bytyçi shprehet se falsiteti i Mini-Shengenit qëndron në mashtrimin që përpiqen të bëjnë presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Shqipërisë për vendet tjera të rajonit. “Por është dikush që ka një interes të tillë. Këta janë udhëheqësit autoritarë dhe anti-evropianë në rajon. Më së pari Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama, dy “dinozaurët” e kësaj iniciative. Ashtu siç e thotë dhe zonja Gërvalla, Minishengeni është fals e gjithashtu kurth. Falsiteti i tij qëndron në mashtrimin që përpiqen të bëjnë presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Shqipërisë për vendet tjera të rajonit. Ata e mashtruan politikanin naiv të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaevin, dhe besuan se do t’i mashtrojnë edhe të tjerët”, deklaron Bytyçi.

“Ky lloj mashtrimi u përdor edhe më 4 shtator të vitit të kaluar në Uashington, kur Vuçiq, duke keqpërdorur Zaevin e Kosovës, pra Avdullah Hotin, mundi ta fusë në marrëveshje idenë e tij të Minishengenit. Dhe sot Staroviq thoshte se “për këtë jemi marrë vesh me ju (Kosovën) para dhjetë muajsh”! Shih si i përdorin profiterët serbë marrëveshjet që plotësojnë interesat e tyre në rajon! Gjithnjë spekulojnë me gabimet dhe fajet e paraardhësve të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit! E nga ana tjetër ata që ia kanë ngulur thikën vendit të tyre, Kosovës, akoma mburren me firmat e tyre. Nuk pranojnë as të kërkojnë ndjesë për fatkeqësitë dhe vështirësitë që ia kanë shkaktuar qeverisjes së sotme!”, thekson Bytyçi për gazetën “Bota sot”. Profesor Bytyçi ka treguar rreziqet që i vijnë Kosovës nga Mini-Shengeni.

“Por saktësisht Beogradi spekulon me rolin dhe pozicionin anti-Kosovë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ndoshta ky është kurth më e madh se kurthi e nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit, sa e përket kësaj pike të saj. Kurthi lidhet me prapavijën politike të kësaj iniciative. Dhe si prapavijë politike duhet ditur shërbejnë disa aspekte: Së pari izolimi i Kosovës. Beogradi dhe Edi Rama duan që ta detyrojnë Kosovën të pranojë de facto se midis saj dhe Serbisë paska një “kufi administrativ”! Jo më kot e përdorën këtë retorikë Ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes i Serbisë në replikën me Vjosa Osmanin sa i përket mundësisë së një agresioni serb kundër Kosovës! Edi Rama e di dhe në mos e pastë ditur e mësoi tashmë se Serbia e konsideron kufirin me Kosovën si kufirin me një koloni të saj. Por asnjëherë nuk ka reaguar, nuk guxon të qortojë vëllain e tij, Aleksandër Vuçiq për këto qëndrime shoviniste të Serbisë ndaj Kosovës”, nënvizon Bytyçi.

“Kurthi është i hapur. Dhe nëse Kosova bie në këtë kurth, atëherë ajo nuk ka pse të kërkojë hesape as te Vuçiq, as të Edi Rama! Kurthi tjetër është që t’i hapet rruga krijimit të “Jugosllavisë së Re”! Këtë synim e ka shpallur Aleksandër Vuçiq që para katër vitesh, më 2017-ën. Madje ka thënë se pas krijimit të kësaj Jugosllavie do të jetë një Tito i Ri! Tiroja i Ri dhe Enver Hoxha i Ri i Tiranës u bashkuan në modelin e “vëllazërisë shqiptaro-serbe” të viteve 1944-1948 dhe vijonë pa u shqetësuar të punojnë për integrimin e Shqipërisë dhe të rajonit në këtë Jugosllavi. Identikisht pati vepruar diktatori shqiptar, Enver Hoxha, kur thoshte se “E mirëkuptonte Titon në qëndrimin e tij ndaj Kosovës, kur lideri jugosllav i thoshte se “Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk do ta pranonte Serbia””!”, shpjegon profesor Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se qëndrimi i sotëm i ministres Donika Gërvalla është i drejtë, është i saktë dhe në mbrojtje të interesave të vendit të saj. “Por Kosova, ndryshe nga kryeministri shqiptar, është kategorikisht kundër krijimit të ndonjë Jugosllavie të Re nën emrin e Minishengenit apo të ndonjë emir tjetër. Prandaj dhe qëndrimi i sotëm i ministres Donika Gërvalla është i drejtë, është i saktë dhe në mbrojtje të interesave të vendit të saj. Kosova dhe Shqipëria nuk kanë dhe për një kohë të gjatë nuk do të kenë asnjë interes të ndërtojnë projekte anti-evropiane dhe anti-shqiptarë në koalicion me Serbinë. Nuk mund të lejohet që Serbia të rehabilitohet prej krimeve mizore e të shëmtuara kundër shqiptarëve dhe madje pavarësisht gjenocidit të saj në Kosovë të favorizohet me pozicionin e lidershipit në Ballkanin Perëndimor!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi. JU FT OJM TE SHT YPNI VID EON KE TU

Be the first to comment on "“Kurthi është i hapur”/ Pas alarmit të Gërvallës, Kosovës i vjen paralajmërimi i tmerrshëm për Mini-Shengenin"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*