Marrëveshja përfundimtare me Serbinë përfundon me ndërhyrjen e SHBA-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditë më parë në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, u shpreh se BE duhet t’i mbetet besnike esencës së saj që është zgjerimi.
Kjo sepse Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë mbetur të fundit, ku ende nuk kanë bërë hapa drejt hapjes së negociatave për anëtarësim.

Në rastin e Kosovës, janë edhe pesë shtete të BE-së (Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania), që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe BE-ja mban qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

Po ashtu, përveç kësaj, edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur më 2011, e që ende nuk po mund të arrihet ndonjë marrëveshje në mes këtyre shteteve, thuhet se ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve Lidhur me atë se a mund të kemi marrëveshje përfundimtare me Serbinë, nëse inkuadrohet edhe SHBA në dialogun e Brukselit, për gazetën “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

SHBA të dyfishoj përpjekjet kështu analisti Gani Qarri, në një prononcim ka deklaruar se Serbia nuk është e gatshme për marrëveshje, por vetëm bënë ndërhyrje në rregullimin e brendshëm shtetëror. Qarri shtoi tutje se e gjitha kjo është vërejtur kur Kosova e vendosi reciprocitetin, e në këtë rast Serbia edhe pse e kishte nënshkruar vetë, e tensionoi gjendjen, duke vendosur edhe ushtrinë me tanke.

“Siç u pa edhe nga zhvillimet e fundit, Serbia jo vetëm që nuk është e gatshme të arrijë kurrfarë marrëveshje ndërkombëtare me Kosovën, por krejt ajo që ky shtet okupator, bën tash e 11 vite në dialog, janë vetëm ndërhyrjet e vazhdueshme në rregullimin e brendshëm shtetëror të Kosovës, duke tentuar bosnjëzimin e saj dhe gllabërimin e veriut me pjesët më vitale të vendit tonë. Madje këtë planë Serbia e dëshmoi edhe pak ditë më parë, e cila vetëm për shkak të futjes së masës së reciprocitetit për targa, marrëveshje të cilën ajo qysh në vitin 2011 e kishte nënshkruar vet, e tensionoi gjendjen artificialisht deri në atë masë, sa që përveç barrikadimit të rrugëve pa asnjë arsye, vendosi edhe ushtrinë me tanke, helikopter dhe aeroplan ushtarak buzë kufirit me Kosovën”, tha ai.

Tutje ka theksuar se përveç kësaj Vuçiqi shkeli edhe hapësirën ajrore me helikopterë, madje edhe ambasadorin rus e dërgoi në kufi me Kosovën, gjë që dëshmon se Serbinë po e mbështet edhe Rusia. Qarri tha më tej se dialogu edhe pse vijon qe sa vite dhe me ndërmjetësimin e BE-së, nuk ka treguar sukses, madje nuk ka lënë as shpresa se me Serbinë mund të arrihet ndonjë marrëveshje.

“Krlinelit Vuçiq, përveçse pozicionoi ushtrinë krejt afër kufijve verior të Kosovës, ai shkeli disa herë edhe hapësirën tonë ajrore pranë kufijve tanë verior me aeroplan e helikopter, si dhe përveç ministrit të mbrojtjes dhe shefit të ushtrisë serbe, ai në kufi me Kosovën dërgoi edhe ambasadorin rus, gjë që vërteton se në aventurat me kërcënimet për ndërhyrje ushtarake në Kosovë, Serbia ka edhe mbështetjen e Rusisë. Ndaj ky ishte shkaku që detyroi edhe 7 kongresmen amerikan, që me një letër drejtuar presidentit Joe Biden, t’i kërkonin atij dyfishimin e përpjekjeve për zgjidhjen e problemit të Kosovës, pasi që megjithëse tash e sa vjet dialogut ndërmjet dy vendeve vijon dhe ky proces ndërmjetësohet nga BE, nuk ka treguar asnjë sukses dhe as lënë shpresë, se së shpejti mund të arrihet marrëveshje me Serbinë, pasi që Serbia po dëshmon hapur se nuk është e interesuar për marrëveshje me Kosovën, por për pushtimin e territoreve më vitale të saj”, shtoi ai.

Më tej potencoi se pa ndërhyrjen e SHBA-ve, nuk mund të ketë asnjë dakordim me Serbinë, andaj SHBA duhet të dyfishojë përpjekjet për të arritur ndonjë marrëveshje. Pra, sipas tij, çdo gjë mbetet në duart e Amerikës, sepse pa inkuadrimin e SHBA-ve, nuk do të ketë marrëveshje.

“Ndaj ashtu siç kërkoi edhe Grupi i Çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan nga Presidenti Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, SHBA duhet të dyfishojë përpjekjet dhe angazhimin për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, përndryshe pa ndërmjetësimin e SHBA-ve, jo vetëm që nuk mund të ketë marrëveshje me njohje të ndërsjellë, por as dakordim të thjeshtë për çfarëdo qoftë me Serbinë hegjemoniste, e cila tash e mbi 22 vite mban peng edhe kufomat e mijëra shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar, ndaj çdo gjë mbetet në duart e Amerikës e presidentit Joe Biden dhe pa inkuadrimin e SHBA-ve në dialogun e Brukselit, as që mund të kemi marrëveshje përfundimtare e njohje të ndërsjellë, me këtë shtet ish okupator”, ka përfunduar Qarri.

“Nuk ka shpresa të arrihet ndonjë marrëveshje” Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka thënë se Serbia nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që nuk përfiton territor. Madje sipas Burjanit, gjendja do të mbetet e njëjtë edhe nëse SHBA hyn në lojë.

“Pa një trysni të fuqishme Serbia kurrë nuk do të pranoj ndonjë marrëveshje përfundimtare që nuk përfiton territor, kjo është e pamundshme. Këtu nuk besoj fare se do të ndodhë, edhe po që se hyn SHBA në lojë prapë gjendja do të mbetet e njëjtë, Serbia do të përfitoj e kjo është e pamundshme nuk ka shpresë që të ndodhë fare”, ka deklaruar Blerim Burjani.

Be the first to comment on "Marrëveshja përfundimtare me Serbinë përfundon me ndërhyrjen e SHBA-së"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*